Charlie Wright, një pensionist 70-vjeçar la shtëpinë e tij, që ndodhej e vetme në një sipërfaqe të madhe toke bosh në Wirral (Angli), për arsye shëndetësore dhe kur u kthye pas një viti e gjeti atë të rrethuar nga 178 shtëpi të reja.

Zona e shkretë ku Charlie kishte jetuar gjithmonë ka qenë prej kohësh në sy të ndërtuesve, pasi 20 vjet më parë atij i kishin ofruar 2 000 dhe një shtëpi tjetër, por pensionisti nuk u dorëzua kurrë, pavarësisht se zona ishte gjithnjë e më pak e populluar.

Në fakt, fqinjët e tij u larguan dalëngadalë dhe aty mbeti vetëm shtëpia e tij e izoluar.

Por, pensionisti, i cili riparonte dikur kaldaja, ishte i lumtur dhe e shijoi jetën e vetmuar teksa tha për mediat se ”familja ime e ka këtë shtëpi prej 100 vjetësh”.

”Njëzetë vjet më parë firmat filluan të rrënojnë shtëpitë në lagje dhe pronarët më ofruan 2 000 paund dhe një shtëpi të re për t’u zhvendosur. Unë u përgjigja se kjo shtëpi nuk shitet dhe nuk do të shitet kurrë. E vetmja mënyrë për të marrë është të presësh vdekjen time”, deklaroi i moshuari.

Por, jeta e Charlie është kthyer përmbys vitin e fundit, kur ai u sulmua në shtëpinë e tij nga një bandit, i cili e kërcënoi fizikisht.

Charlie, i cili nuk kishte qenë asnjëherë me pushime, kishte lënë shtëpinë për të shkuar deri në Liverpul, ku kaloi gati një vit në spital pasi trajtim të specializuar për shkak të traumave në tru.

Kur burri më në fund u kthye në shtëpi, u habit dhe pa 178 shtëpi të reja që rrethonin shtëpinë e tij.

“Asgjë nuk ndryshon. Nuk do të lëviz nga shtëpia. Këtu ruaj shumë kujtime të mira, jam në paqe me veten”, theksoi ai.

Duke u përpjekur të shohë anën e mirë, Charlie tani do të ketë shumë fqinjë të rinj për t’u shoqëruar.

“Tani kam fqinjë, pas 20 vitesh vetmie, ndihem më i sigurt”, theksoi ai.