Tregim nga Vasil KLIRONOMI

Edhe pse jo të një moshe, dy vëllezërit nuk ndaheshin. Mënyra e të folurit, lëvizjet, koha që i kushtonin njëri tjetrit, të linin përshtypjen se ishin shokë dhe jo vëllezër. I vogli e gjente shkakun e lidhjes në mësimin e frëngjishtes. Në klasën e tretë fillore, drejtori i shkollës që ishte dhe miku i babait, u interesua të aktivizohej me nxënësit e klasës së pestë dhe udhëzoi mësuesen ta vinte në një bankë me vëllain.
– Ashtu është, – e aprovoi mendimin i madhi – por lidhjet tona u forcuan më shumë kur erdhëm nga Saranda e u vendosëm këtu në Korfuz dhe, fillimisht, e ndjenim veten të huaj. Të kujtohet? Në shkollë shkonim bashkë. Dhe kur ktheheshim s’ta lëshoja dorën, se kisha frikë mos të ngiste kush.
Ajo, që të madhit i pëlqente shumë te i vogli, ishte delikatesa e gjuhës frënge. E fliste aq ëmbël sikur ta kish gjuhën e nënës. Për mënyrën e të folurit e admironte shumë dhe mësuesja e frëngjishtes.
– E përkëdhel gjuhën frënge aq bukur – e kish lëvduar duke i shkuar dorën mbi supe.
Atë fillim viti shkollor, në vend të saj erdhi nga Franca një mësuese me emrin Kathrin. Kish zbritur në ishull bashkë me konsullin e ri; askush nuk njihte lidhjet e saj me përfaqësuesin diplomatik. I vogli në një pushim të shkurtër, dëgjoi dy mësuese të thoshin me zë të ulët, se nuk ishte gruaja e tij e ligjshme. -Bile e karakterizuan për sytë e lëvizshëm, takat e larta që nuk i përshtateshin trupit të saj pak të mbushur dhe për flokët që i binin sipër syve e i zvogëlonin fytyrën aq të pastër. -Rroftë sperma e konsullit! -Ironizuan për pastërtinë e fytyrës dhe u ndanë duke hyrë secila në klasën e vetë. Për bisedën i vogli pyeti vëllain e madh, por dhe ai nuk mundi t’ia shpjegonte.
Ra zilja për fillimin e mësimit dhe në klasë, hyri drejtori me mësuesen. Pas prezantimit, kreu i shkollës doli duke tërhequr derën nga jashtë, ndërsa mësuesja nuk u mor me regjistrin, por kaloi pranë çdo nxënësi duke i kërkuar njohjen. Sa herë që dikush i pyeste, vëllezërit shikoheshin sy më sy. Për hyrjen në shtetin fqinj, babai u ndodh përballë një ngërçi; si pasojë pagoi dhe ndërroi emrat e të gjithë pjesëtarëve të familjes. Me kalimin e kohës, emrat e parë u shndërruan në nofka për mbushje kujtimesh.
Paspak mësuesja filloj shpjegimin e mësimit. Në një çast u afroi nxënësve tërësinë e aftësive të saj. Njihte veç frëngjishtes, anglisht, spanjisht, gjermanisht dhe rusisht. Ishte aq e ngrohtë! Ndodhi ajo që na ndodh të gjithëve kur dikush na hyn në zemër për një kohë fare të shkurtër dhe na duket sikur e njohim prej kohësh. Ajo ndodhi dhe me vëllezërit. Bile i madhi i rrëmbyer nga entuziazmi, i tha të voglit se mësuesja e tanishme shëmbëllente me mësuese Katerinën që u jepte frëngjisht në vendlindje.
– E di që ke të drejtë? – Ia ktheu i vogli. – Më duket se ajo është. Por jo, jo, – ndërroi mendim. Kur përmendi gjuhët e huaja, pse nuk përmendi dhe gjuhë tonë? – Do ta pyes – ngulmoi i madhi dhe çoi dorën t’i jepej fjala.
– Zonjë! Thatë pakë më parë se njihni disa gjuhë të huaja; gjuhën shqipe e njihni?
Pas përgjigjes që mori, dëgjoi vëllain t’i pëshpëriste pas supit:
– Unë të thashë, por ti nuk më dëgjove…