Presidenti Ilir Meta refuzon të tregojë emrat e ambasadorëve për të cilët deklaroi në përgjigjet për Gjykatën Kushtetuese se kanë ndërhyrë për të mbrojtur shkelësit e Kushtetutës dhe kanë treguar sjellje jokorrekte.

Pyetur nga Euronews Albania, kreu i shtetit tha se nga ana e presidentit kanë qenë marrëdhënie të shkëlqyera ato me ndërkombëtarët.

“Unë nuk jam këtu për të folur për marrëdhëniet ndërkombëtare, as të presidentit dhe askujt tjetër të cilat ju siguroj nga ana e presidentit me të gjithë kanë qenë marrëdhënie të shkëlqyera. Çdo gjë e mirë dokumentuar, çdo gjë konstruktive”, tha Meta.

Sa i përket përgjigjeve të dhëna për Gjykatën Kushtetuese ai tha se nëse ka dyshime  këtij institucioni do të vihen në dispozicion materiale plotësuese.

“Për sa i takon pyetjes që ka bërë Gjykata Kushtetuese, është dhënë kjo përgjigje, ‘nëse shqetësimi juaj vjen nga pretendimet e Kuvendit përgjigjja është kjo që ju kam dhënë, por në qoftë se ju keni ndonjë shqetësim që unë s’e kam nga ndonjë vend partner, ju lutem ma thoni nga e keni ju sepse pastaj do ju jap materiale plotësuese’. Janë dorëzuar që në korrik materialet, dokumentet, anëtarëve të GJK”, tha kreu i shtetit.