Nga Bedri Islami

Ministrja e Financave në Shqipëri quhet Delina Ibrahimaj dhe bën pjesë në ekipin qeveritar Rama 3, dominuar nga gratë. Duke folur për rritjen e çmimit të naftës në vend, që ka arritur 195 lekë për litër, me tendencë të kalojë mbi 200 lekë ( gjithnjë lekë të rinj), ajo deklaroi se ” Nuk ndërhyjmë dot sepse tregu është i lirë”, duke bërë prognozën se, vetëm pas 6 muajve, pritet që çmimi të normalizohet.

Po shteti ku është , zonja ministre?E di ti se shteti, edhe në kapitalizëm, është rregullator i tregut dhe dhe nuk e lë atë të vendosë për çdo gjë?Po sikur, të gjitha kompanitë e naftës në Shqipëri, që sundohen nga oligarkë , të cilët në fakt qeverisin dhe, po t’i thojë mendja të japin rrugët për dy ditë, të vendosin së bashku që, çmimi i naftës të bëhet 400 lekë ( gjithnjë të reja) çfarë do të bëjë ministria juaj, qeveria juaj, shteti?Do të pranohet që privati, ky që ju thoni tregu i lirë, të vendosë mbi shtetin, mbi primatin e tij si rregullator dhe kontrollues?

Në shtetin fqinj, Maqedoni e Veriut, kjo nuk ndodh, pasi shteti ka vendosur limitet e tij, edhe në karburant , e , kur ia do interesi i qytetarëve, edhe në ushqime, si ndodhi jo shumë kohë më parë. Ndoshta nuk e dini, por Komisioni Rregullator mori vendimin e veçantë për çmimin e shitjes me pakicë të naftës dhe të derivateve të saj dhe kjo zbatohet rreptësisht. Pse, aty nuk ka treg të lirë dhe vetëm në Shqipëri paska?

Ju, zonjë, mund të thoni një ditë se, për të vajtur në punë, edhe kur qendra e saj ndodhet larg, njerëzit le të shkojnë në këmbë, sepse 5 litra naftë është thuajse e barabartë me pagën e një dite…e ju vetë si do të shkonit?Qeveria, me këtë koncept drejtues dhe mendësi prej oligarku, me vajzurina financiare që nuk e dinë ende se shteti nuk është as akademi blegtorësh e as i çartallosur nga privati, krijon më tej thellësinë mes shtresave, gjithnjë e më të rrëpirta dhe vdekjeprurëse për një shoqëri që mendoi 30 vite më parë se do të ishte ndryshe.

Ka pasur ky vend, edhe pas vitit 1990, sidomos para këtij viti, ministra finance që mund të ishin burra shteti, të aftë dhe seriozë, të dinjitetshëm në funksionin e besuar, që nuk e përceptonin shtetin si vëzhgues dhe pushtetin si lopë që duhet mjelur.

Ndoshta nuk e dini se sataksa paguhen për një litër, megjithëse se duhet ta dini! Po taksat, që janë më shumë se sa vlera e naftës, kush i ka në dorë, privati, tregu i lirë apo qeveria?Përse ju duhet atëherë Këshilli i madh popullor kur në Shqipëri vendoska tregu i lirë, që në këtë rast është oligarku i madh?

Ka pasur një tregim të famshëm tëshkrimtarit të njohur turk Azis Nesin, “Sikur të isha grua”.U dashka qenë grua të jesh në qeveri dhe të mos e dish se shteti nuk është për t’i bërë fresk tregut të lirë, por për të ballancuar efektet sociale në zhvillimet e vendit