Ah, kjo Ditë e Verës!
_____

(Më zhvoksh, nuk më lë ta fsheh shëmtinë. Ç’mbetet nga misteri im?)

***
Bashkë me agimin, zbriti Dita e Verës
në trojet e mia,
rreze drite hodhi mbi dimrin tim,
me fllad të pjalmuar shpirtin më zhbiroi.

U shpërndanë retë,
retë që më mbulonin misterin,
dëbora shkriu,
dëbora që më lëmonte relievin.

Dita ime e shumëpritur,
përse m’i shpërndave retë,
dëborën bardhësilëmuar përse ma shkrive?

Ardhja jote më lakuriqsoi relievin,
ujërat u turrën tatëpjetë nëpër kapilarë
erozioni më zbuloi dhimbjet
për ata që desha dhe nuk i kam
për ata që i kam dhe dot nuk i përqafoj,
për unin tim të rrethuar.

Më zhvokshe…
Ç’mbeti nga misteri im?

Mirë se erdhe Ditë e Verës,
veç nuk duhet të më lakuriqsoje shpatet,
nuk duhet të më pushtoje deri te dhimbjet
që vetë i kujdesja të fshiheshin në zgafellat e mia.

Ame. Ardhsh përsëri…!

***
(U shkrua DIKUR)