Mediat serbe, si B92 dhe Blic.rs pretendojnë se presidentit të vendit, Vuçiç i është vënë mbi tavolinë letra për pranimin e pavarësisë së Kosovës, shkruan Koha.

Që në fillim të takimit në Shtëpinë e Bardhë, Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, iu dorëzua një letër, sipas së cilës Serbia duhet ta njohë Kosovën sot”, kështu shkruan një prej mediave serbe e cila citon ministrin e financave Siniša Mali.

Ato citojnë burime anonime ndërsa theksojnë se pala shqiptare ka qenë në dijeni të kësaj.

“Gjithçka është përgatitur më herët, shqiptarët e kanë ditur”, ka raportuar Blic.rs, duke cituar burimet diplomatike në Washington.

Sipas mediave serbe, Ministri i Financave, Siniša Mali, deklaroi se në takimin në Shtëpinë e Bardhë, ka një letër në tryezë, një pikë e së cilës nënkupton njohjen e ndërsjellë të Serbisë dhe Kosovës dhe se ekziston një presion i madh ndaj Presidentit Vuçiç.

Bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do zhvillohen ditën e sotme e të nesërme.

Sot do diskutohet për çështjet ekonomike ndërsa nesër pritet të diskutohet për të gjitha çështjet ku palët pajtohen me njëra-tjetrën.