Qifti: “Retorika e Edi Ramës më 7 maj, një ligjërim tragjikomik, në stilin e një kapobande mafioze të kapur me presh në dorë…

Tranzicioni ynë i gjatë e bëri të gjithanshme maninë e korrupsionit” – theksoi në fjalimin e tij të gjatë Edi Rama në mbledhjen me të korruptuarit (Më falni!), me ministrat dhe grupin e deputetëve më 7 maj.
Sipas Ramës, vjedhjet e ministrave dhe kryebashkiakëve të vet janë pasojë e 5 shekujve sundim turk, 50 viteve komunizëm dhe tre dekadave të tranzicionit dhe nuk kanë të bëjnë aspak me të dhe firmat që ai hedh tak, tak, tak mbi prokurimet me paratë e shqiptarëve…
Duke e hedhur fajin tek tranzicioni dhe historia, Rama, në mënyrë qesharake, u përpoq të shpëtojë veten nga përgjegjësia personale, por kur ai akuzoi historinë për korrupsionin aktual, harroi se edhe ai vetë është pjesë e kësaj kulture dhe mentaliteti të trashëguar.
Retorika e tij, as më pak e as më shumë, ishte në stilin justifikues tragjiomik të shefit të një bande të korruptuar, të kapur me presh në dorë.

Ndërsa, kur deklaroi se: “Unë nuk lëshoj vetëm djalin e vogël të hidhet nga shkëmbi… e nuk do të bëhet mburojë as edhe një zyrtari socialist të korruptuar dhe që ka probleme me drejtësinë…” – Rama la të nënkuptohet se është ai dhe askush tjetër, që e ka në dorë t’i lëshojë apo jo te dyert e SPAK-ut ministrat dhe kryebashkiakët e tij të korruptuar!
Duke folur në stilin e një kapobande mafioze, ky kryeministër duket se pretendon kontrollin e tij mbi drejtësinë dhe shpërfill përgjegjësinë për veprimet e ministrave të tij. Në vend të një qëndrimi të përgjegjshëm dhe të një lufte të sinqertë kundër korrupsionit, ai mbrohet pas kësaj retorike sa djallëzore aq edhe qesharake, duke u përpjekur të shmangë përgjegjësinë dhe të mbrojë pozitën e tij politike.

Qifti
_____

 

Ps: Duke analizuar stilin retorik të Edi Ramës, si një kryeministër që përpiqet të shpëtojë veten nga përgjegjësia personale për korrupsionin duke fajësuar tranzicionin dhe historinë, Qifti e krahason retorikën e Ramës dhe mënyrën qesharake sesi ai përpiqet të mbrojë veten dhe të shmangë përgjegjësinë e tij personale, me atë të një kapobande mafioze të kapur me presh në dorë.

Shoku i Qiftit