Kreu i Bashkimi Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti ka prezantuar emrat e rinj nga ky subjekt që do të jenë pjesë e qeverisë së re që do të krijohet me LSDM.

Sipas marrëveshjes së arritur BDI do të përfaqësohet nga 6 ministra. Kështu Ministria e Financave do të drejtohet nga Fatmir Besimi, ajo e Punëve të Jashtme nga Bujar Osmani, Ministria e Mjedisit nga Naser Nuredini. Ekonomia do të ketë në krye të saj Kreshnik Bekteshin, ndërsa Artan Grubi do të jetë ministër i Sistemit Politik dhe zv/kryeministër.

Për Ministrinë e Shoqërisë Informatike dhe Administratës, Ali Ahmeti njoftoi se do të vendoset pas disa konsultimeve brenda partiake.

Ndërkohë gjatë ditës së nesërme pritet të mbahet edhe mbledhja e Kuvendit ku do të zgjidhet kreu i këtij institucioni, siç është raportuar edhe deri më tani, si rezultat i marrëveshjes për bashkëqeverisje mes LSDM dhe BDI , në krye pritet të zgjidhet sërish Talat Xhaferi.