Pamjet që publikon “Pamfleti”, tregojnë se kryeministri i Rilindjes, ministrat dhe drejtorët e tij, nuk e kanë mendjen e merakun te shërbimi mjekësor ndaj fëmijëve, por te tenderët miliona euro që vjedhin hapur, të cilat shënohen në letra si gjoja investime moderne në spitalin e fëmijëve…

Pamjet e tmerrshme nga Spitali Pediatrik, njohur si spitali i fëmijëve në QSUT, janë prova e shëmtisë, degradimit të shëndetësisë, mashtrimit të qeverisë dhe vjedhjes së fondeve shtetërore, nëpërmjet tenderëve të bërë në letra e të pa investuara realisht në këtë spital.

Holli dhe dhomat e pritjes, vizitave, shtrimit e trajtimit të fëmijëve dhe prindërve që i shoqërojnë, janë akoma me pllakat, pajisjet, mobiliet, stativët e serumeve dhe krevatët e ndryshkur të para vitit 2013, ndërsa kryeministri Edi Rama, publikon pamje “3D” me gjoja investime e kushte moderne.

Në Spitalin Pediatrik, përveç zyrave e tualeteve të personelit, dhomat e pacientëve janë me lagështirë e gjithë myk tamam si depot e braktisura, më saktë si spitalet në Gaza e Kandahar.

Ndërsa tualetet për shërbimin e përbashkët higjenik të fëmijëve e prindërve, janë të “qelbura”, pa ujë e pa energji, madje disa janë jashtë funksionit, me shënimin mbi dyer: “Mos përdorni banjon”.

Tavolinat e dollapët e pajisjeve mjekësore, janë të vjetruara e të kalbura, dritaret janë të shqyera e disa pa xhama, ndërsa në hollin e spitalit nuk ka as stola ku të ulen prindërit e fëmijët dhe mungon higjiena totale, që tregon për gjendje të mjerueshme e të turpshme.

Para 11 vitesh, Edi Rama premtoi shëndetësi falas e moderne, por ka lënë në kushtet e mizerjes dhe spitalin e fëmijëve në QSUT, megjithëse janë paguar miliona Euro për rikonstruksion e pajisje.

Në tetor 2016, kryeministri Edi Rama, propagandoi me bujë investimin 5.3 milionë Euro në spitalin e fëmijëve, por nuk ndryshoi asgjë, sepse ministri Ilir Beqja dhe Drejtoresha e QSUT, Ogerta Manastirliu që bënë tenderin dhe privatët, i vodhën e firmosën letrat.

Në mars 2018, Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu dhe Drejtori i QSUT, Enkelejdi Joti, bënë tenderin 4.6 milionë Euro për rikostruksionin dhe pajisjen e Pediatrisë, por u veprua si me tenderin 5.3 milionë në muajin tetor 2016.

Më 6 janar 2022, kryeministri Edi Rama i shoqëruar nga Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu dhe kamerat e televizioneve, inauguroi rikonstruksionin dhe pajisjen e Spitalit Pedriatik, me vlerë investimi 15 milionë Euro, duke thënë:

– Pediatria e re në QSUT, tani e në vazhdim është moderne për kujdesin shëndetësor të fëmijëve, duke krijuar ambientet plotësisht të transformuara, për 3 shërbime të rëndësishme: urgjenca, reanimacioni dhe 4 salla të reja operacionesh pediatrike.

Ky investim i ri, nuk është thjesht godinë e mjedise të reja, por modernizim i shërbimit mjekësor me standarde si në vendet e zhvilluara, për kujdesin cilësor ndaj shëndetit të fëmijëve; është shëmbëlltyrë e vizionit tonë për shërbimin pediatrik që duam”.

Por pamjet tregojnë se Babloku, ministrat dhe drejtorët e tij, nuk e kanë mendjen e merakun te shërbimi mjekësor ndaj fëmijëve, por te tenderët miliona Euro që vjedhin hapur, të cilat shënohen në letra si gjoja investime moderne të Spitalit Pediatrik.

E kur kjo batërdi dhe ky kiamet i zi me shërbimin mjekësor të fëmijëve ndodh në QSUT, kuptohet se çfarë tmerri është në spitalet e rretheve dhe qarqeve.

Ndërsa Edi Rama, ditën e diel vazhdoi me propagandën e tij mashtruese e bajate, se këtë sezon veror, për turistët dhe pushuesit janë ngritur qendra mjekësore të kompletuara deri në Alpe…