(Pse, ju duket e rastit që persona me të kaluar politike, si deputetë, e kanë përdorur ish-Akademinë e Studimeve Albanologjike si një strehë punësimi, madje edhe me funksione drejtuese?)

Të përfshihesh në diskutimin për ligjin e ri të Qeverisë që bashkoi apo “shkriu” në një Akademinë e Shkencave të Shqipërisë me Akademinë e Studimeve Albanologjike, për mua është e pamundur të mos pozicionohesh politikisht. Mbështetësit e “pavarësisë” së ASA-s, megjithëse e mohojnë politizimin e tyre, sulmojnë Qeverinë dhe kreun e ASH-së, z. Gjinushi, vetëm politikisht si të “politizuar”… Kush e mohon këtë, politizimin e çështjes pra, mendoj se nuk është i sinqertë deri në fund në këtë debat. Në fakt, më mirë të them, e kam bindje këtë dhe kjo bindje më shtyn të marr guximin e të përfshihem në këtë diskutim me objekt shkencën duke e parë çështjen vetëm politikisht…

Pas një periudhe të gjatë pasigurish, për shkak të politikave sabotuese të pushtetit të Sali Berishës, Akademia e Shkencave e Shqipërisë më në fund po e merr veten dhe po faktorizohet si promotor i jetës shkencore të Shqipërisë. Vendimi i fundit i Qeverisë për të shkrirë Akademinë e Studimeve Albanologjike dhe për ta vënë atë nën juridiksionin e Akademisë së Shkencave është një dëshmi e qartë për të ndrequr atë që dreqosi Sali Berisha.

Kur më 2008, me vendimin e Qeverisë së Sali Berishës, Qendra e Studimeve Albanologjike u pagëzua si Akademi, drejtuesit e saj e festuan si një fitore të madhe.
Me këtë vendim, xhelozia ndaj Akademisë së Shkencave u kënaq dhe u ngop. Me një gur po vrisnin dy zogj: Tani drejtuesit e saj kishin jo vetëm emrin “Akademi”, por edhe të drejta e kompetenca të një institucioni të arsimit të lartë. Shumë shpejt u kuptua që gëzimi i tyre nuk kishte lidhje me shkencën, por me privilegjet që lindnin. “Politika, kjo shprehje e koncentruar e ekonomisë” u duk sikur ishte thënë vetëm për “akademikët” e ASA-s… Kjo Akademi “e re” ofronte programe doktoraturash dhe drejtuesit e saj ishin të parët që dolën si udhëheqës doktoraturash. E tregojnë si anekdotë që një drejtor instituti i kësaj qendre udhëhiqte njëkohësisht 20 doktoratura… Dhe, në qoftë se për një doktoraturë shpërblimi ishte 3 milionë lekë të vjetra, imagjinoni se cili ishte fitimi material i këtij “udhëheqësi të shquar”! Me dhjetëra doktoratura u mbrojtën, shumica plagjiatura dhe pjesa tjetër punime të dobëta të shkruara shpejt e shpejt, tema hartimi për studentë të ciklit bachelor. Ky është me pak fjalë kontributi i Akademisë së Studimeve Albanologjike: shkatërrimi i shkencës së vërtetë në emër të pasurimit të disa “udhëheqësve” e “mentorëve” të pamend.

Sepse po të kishin mendjen në vend do ta kuptonin që në fillim se emërtimi i gjetur “Akademi” ishte fare i papërshtatshëm.

Unë e di – dhe këtë mund ta vërtetoni po të hapni qoftë edhe një fjalor të thjeshtë – se termi “akademi” përdoret në disa kuptime. Kuptimi i parë është ai i Akademisë së Shkencave (dhe Arteve) i një organizmi shkencëtarësh të specialiteteve të ndryshme, duke filluar nga filozofia e shkencat humane e deri tek shkencat ekzakte. Në përfytyrimin tonë Akademia është dinjiteti intelektual i kombit. Çdo akademi tjetër, për shembull, Akademia e Rendit, Akademia Ushtarake, Akademia e Kuzhinës, Akademia e Bukurisë apo qoftë edhe Akademia e Barinjve janë kuptime dytësore, që lidhen me mësimin e një profesioni. Ky përdorim i lirë i kuptimeve dytësore të termit “akademi”, që vendoset një shkallë më poshtë edhe se universiteti ka bërë që entuziastët e “akademive” të tilla si Akademia e Arteve apo Akademia e Sporteve ta ndryshonin emërtimin e tyre dhe të quhen tani “Universiteti i Arteve” dhe “Universiteti i Sporteve”. Hall i madh me kuptimin e fjalëve. Hall i madh me semantikën, hall edhe poliseminë.
Vetëm të ashtuquajturit “akademikë” të ish-“Akademisë së Studimeve Albanologjike” nuk arritën ta kuptonin këtë. Nga njëra anë u pëlqente që t’i bënin karshillëk Akademisë së Shkencave duke u quajtur vetë “Akademi”, por pa mundur të quheshin as t’ia akordonin dikujt titullin “akademik”. Nga ana tjetër, nuk mund të ripagëzoheshin “Universitet”, sepse një Universitet i Tiranës ekzistonte dhe ekziston, edhe pse me gjynahet e veta të plagjiaturës, që i kemi denoncuar publikisht në kohën e duhur.
Plagjiarizmi, të dashur miq, ky “sekret” i njohur i Universitetit Shqiptar, funksionoi në mënyrë turpësisht solidare edhe për drejtuesit e ish-Akademisë së Studimeve Albanologjike. Ky është “kontributi” i tyre i vërtetë: prodhimi i një armate plagjiatorësh. Në këtë ish-institucion ka pasur sidoqoftë edhe studiues seriozë, por këta kanë qenë të paktë.

Synimi i tyre kryesor ka qenë gjithmonë fitimi material, ndërsa shkenca ka qenë vetëm një pretekst.

Tani që i doli era kësaj pune, dalin lloj-lloj “solidarizuesish” me “padrejtësinë” që po u bëhet “albanologëve”, për “dëmin kombëtar” e rreziqe të tjera kombëtare që po na kanosen (!). Por këta nuk e kanë hallin tek shkenca, por tek privilegjet që po humbasin.

Sidoqoftë, Shqipëria jonë e dashur nuk e meriton të vuajë nga ca pseudo-akademikë të shkencës. Shqipëria jonë kërkon një shkencë të standardeve botërore, të paktën, ashtu siç e ka pasur kur u themelua, megjithëse nën një regjim të rreptë ideopolitik. Shkencat shoqërore duhet të pavarësohen (të ishin pavarësuar në fakt) një herë e mirë nga politika. Pse, ju duket e rastit që persona me të kaluar politike, si deputetë, e kanë përdorur ish-Akademinë e Studimeve Albanologjike si një strehë punësimi, madje edhe me funksione drejtuese?

Po ata që kur i bien daulles së “gegnishtes” kundër standardit dhe na “bëjnë shkencë” me Enver, Fishtë e Koliq, ç’janë ata? Nuk mbajnë qëndrime kryekëput politike ata?
Cilët nuk pranonte politikisht regjimi komunist, ca autorë antikomunistë të Veriut, apo paskajoren gege të Mjedës e Migjenit? Me kë e kishte Enveri?
Po këta të ASA-s me kë e kanë? Me PSD-në e Gjinushit apo me “vulën” për “zarfet” me para që u përmendi Auron Tare në shkrimin e tij “Lufta për vulën, luftë për zarfin”?

A nuk pozicionohen politikisht ca nga këta drejtues e eksponentë që dalin nëpër televizione dhe me një gjuhë të papërshtatshme, të papritur nga specialistë gjoja të gjuhës, nxjerrin nga goja sharje e mallkime kundër Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe kryetarit të saj?

A nuk është ky qëndrim një politizim i fshehur i një qëndrimi politik?

Në këtë kor kakofonik bashkohet edhe ndonjë shkencëtar “filozof”, bile anëtar i Akademisë së Shkencave, i cili me gjuhë kafenesh e rrugësh, shumë larg ligjërimit të një akademiku, bën populizëm duke sharë mbarë e prapë Akademinë ku bën pjesë. “Akademiku” harron se akademia është instituicioni i Shqipërisë sonë që duhet ta respektojmë të gjithë. Nëse mendon se i rri ngushtë ai kostum, akademiku mund të japë dorëheqjen… Por ai nuk e jep, sepse i dhimbsen paratë që do të humbasë. Prandaj për mua, ishte gjëja më e mirë që u bë me shkrirjen e ish-Akademisë së Studimeve Albanologjike, megjithëse pak jam optimist se punët do të zgjidhen me këtë shkrirje. Aq më tepër kur e di se disa drejtues apo punonjës të kësaj ish-Akademie janë anëtarë të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Sidoqoftë, u zhbë diçka që kishte bërë si shumë gjëra mbrapsht politikani i mbrapshtë Sali Berisha…