Një shuplakë e rëndë për qeverisjen “Rama” ka ardhur nga BERZH dhe BB. Sipas këtyre tyre bankave, njëra europiane e tjetra botërore, korrupsioni në Shqipëri është rritur ndjeshëm, pasi bizneset janë të detyruara të paguajnë gjithnjë e më shumë para nën dorë për zyrtarët e shtetit.

Sipas raportit të tyre, një kompani shqiptare pagoi gjatë vitit 2019 mesatarisht 3.1% të xhiros vjetore ryshfet për zyrtarët e shtetit, duke pësuar rritje gati me 3-fish që prej 2013-ës.

Me këtë normë të lartë ryshfeti, ku vlerësohet se 36% e kompanive të anketuara deklarojnë se u është kërkuar një herë para nën dorë për marrjen e një shërbimi publik, Shqipëria renditet mes vendeve me nivelin më të madh të korrupsionit në botë që përfshijnë vendet e Afrikës, raporton TCH.

“Krahas burokracive të mëdha, korrupsioni krijon një mjedis mjaft të pafavorshëm të të bërit biznes në vend”, thekson raporti, duke penguar zhvillimin e sipërmarrjeve.

Tre rastet më të zakonshme kur zyrtarët e shtetit u kërkojnë bizneseve të paguajnë dorazi më shumë ryshfet përfshijnë atë të marrjes së një leje ndërtimi, lidhjen e kontratave të ndryshme me shtetin si dhe gjatë takimeve me zyrtarët e tatimeve.

Kjo e fundit rezulton edhe më shqetësuese sipas raportit, pasi rreth 35% e kompanive të pyetura shprehen se gjatë vitit 2019-ës u është kërkuar të paktën një herë ryshfet nga tatimorët, çka tregon për një nivel të lartë korrupsioni.