Bashkëthemeluesi i “Alibaba”, miliarderi Jack Ma raportohet se, pas zhdukjes misterioze prej vitit 2020, është shfaqur si mësues në Japoni.
Në rolin e tij të ri, Ma pritet të kryejë kërkime mbi bujqësinë e qëndrueshme dhe prodhimin e ushqimit – tha Kolegji i Tokios, në një njoftim të hënën.

Titani i teknologjisë, dikur njeriu më i pasur i Kinës, do të “ndajë përvojën e tij të pasur dhe njohuritë pioniere mbi sipërmarrjen, menaxhimin e korporatave dhe inovacionin”. Mandati i Ma si profesor filloi dje, më 1 maj. Kjo shënon rikthimin e 58-vjeçarit në mësimdhënie pas pensionimit të tij nga “Alibaba”, në shtator 2019. Miliarderi ishte mësues i anglishtes për disa vite, përpara se të bashkëthemelonte “Alibaba”. Ma u zhduk nga skena mistershëm dhe u spekulua madje për një vrasje të tij nga regjimi kinez, pasi i zemëroi autoritetet në tetor 2020, gjatë një fjalimi në të cilin kritikoi sistemin rregullator financiar të Kinës dhe pretendoi se bankat kineze po funksiononin me një mentalitet “dhomë pengjesh”. Ditë më vonë, shitja prej 37 miliardë dollarësh e biznesit të tij fintech, “Ant Group”, u anulua. Kjo bëri presion mbi çmimin e aksionit të “Alibaba”, i cili ra me më shumë se 70% nga kulmi i tij në vitin 2020. Pasuria e Ma ra nga 61 miliardë dollarë në tetor 2020, në rreth 33 miliardë dollarë, sipas Indeksit të Miliarderëve të Bloomberg. Në nëntor 2022, Ma u pa në Japoni, ku shoqërohej kryesisht në disa klube private të anëtarëve, sipas “Financial Times”. Në janar, ai u pa në Bangkok, Tajlandë, ku vizitoi një restorant dhe pa një luftë Muay Thai. Ai gjithashtu u shfaq në Hong Kong në janar, ndërsa në prill, ai u emërua profesor nderi në Universitetin e Hong Kongut.